Monitorimi i trafikut: Pr.buxheti 2027 parashikon 660 mln lekë, nis financimi për fazën III
Monitorimi i trafikut parashikohet të shtrihet në më shumë akse rrugore, përmes fazave të reja të investimit në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.

Sipas projektbuxhetit për vitin 2027, për këtë projekt planifikohen gjithsej 660 mln lekë, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojë për nisjen e fazës së tretë.
Kjo fazë është përfshirë si projekt i ri, me një vlerë të përgjithshme prej 2 mld lekësh. Financimi parashikohet të nisë me 400 mln lekë në vitin 2027, për të vijuar me nga 600 mln lekë në dy vitet pasuese. Ndërkohë, 400 mln lekë të tjera mbeten për t’u financuar pas vitit 2029. Në listën e investimeve është përfshirë edhe faza e katërt, po me një vlerë të përgjithshme prej 2 mld lekësh, por financimi për këtë fazë parashikohet të nisë në vitin 2028.
Dokumenti buxhetor nuk specifikon akset apo kilometrat shtesë që do të përfshihen në këto dy faza të reja, teksa 200 kilometrat e përfshirë në fazat e para janë akset Tiranë – Elbasan, Tiranë – Vlorë dhe segmenti Vorë – Aeroporti “Nënë Tereza”.
Gjatë vitit 2027 do të vijojë financimi edhe për këto dy faza, me nga 130 mln lekë secila.
Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është konceptuar për të ndjekur në kohë reale qarkullimin në akset kryesore të vendit, përmes kamerave dhe sistemeve kompjuterike, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë.
Modeli parashikon bashkëpunimin e disa institucioneve, mes të cilave Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia e Shtetit, DPSHTRR dhe Urgjenca Kombëtare, për përpunimin dhe përdorimin e të dhënave që vijnë nga terreni.
Burimi: Scan
Më të lexuarat






k.jpg)